CESS - The Center for Economic and Social Studies

Trafikimi: Rasti i Shqiperise (Available in Albanian only)

Leke Sokoli dhe Ilir Gedeshi

 

Parathënie

Ky libër mbi trafikimin e qënieve njerëzore është frut i punës shumëvjeçare të autorëve në kuadrin e disa projekteve, mbi njohjen e fenomenit të trafikimit dhe parandalimin e tij. Projektet kanë qenë disa llojesh.

Së pari, janë disa projekte lokale, me të cilat është synuar trajtim i problemit në komunitetet e disa rretheve të Shqipërisë, sidomos në ato të rretheve Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Elbasan, Shkodër, Tiranë etj. Ato kanë mundësuar njohjen dhe trajtimin konkret të problemit në terrenin shqiptar, njohjen e një mori rasteve konkrete të trafikimit, njohjen e kompleksit të faktorëve që ndikojnë në procesin e trafikimit të qenieve njerëzore, të mënyrave të trafikimit, sikurse edhe të mënyrave e rrugëve të minimizimit apo edhe të eliminimit të këtij fenomeni. Së dyti, janë disa projekte kombëtare, kryesisht projekte studimi e vëzhgimi, me metoda empirike të dukurisë së trafikimit. Ndër to mund të përmendim, sidomos, një sondazh ‘kombëtar’ mbi perceptimin e trafikimit dhe profilin e rrezikshmërisë së tij, të realizuar në vitin 2005, për llogari të World Learning (Washington). Mund të përmendim, gjithashtu, një numër projektesh studimore mbi varfërinë në Shqipëri, mbi emigracionin, komunitetet etnike (sidomos atë mbi komunitetin rom) etj., të sponsorizuara nga Banka Botërore, UNDP etj., në kuadrin e të cilave është hulumtar edhe problemi i trafikimit të qenieve njerëzore.

Së treti, janë disa projekte ‘rajonale’ e ndërkombëtare të realizuara nga Qendra e Studimeve Ekonomike e Sociale (CSES), ose në bashkëpunim me partnerë të tjerë. Ndër to përmendim sidomos studimin rajonal mbi perceptimin e trafikimit nga nxënësit dhe të rinjtë e Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Shqipërisë, të realizuar në kuadrin e një projekti të IOM-it, gjatë vitit 2006, në të cilin, veç të tjerave, u anketuan rreth 2400 individë.

Në tërësinë e angazhimeve, studimore e botuese, të realizuara nga Qendra e Studimeve Ekonomike e Sociale, Instituti i Studimeve Politike e Sociale apo i sociologjisë dhe revista shkencore “Politika & Shoqëria”, kemi grumbulluar të dhëna të mjaftueshme, sasiore e cilësore, për një apo edhe më shumë libra mbi trafikimin. Ato janë përdorur kryesisht në raporte, referate, manuale apo edhe artikuj të ndryshëm shkencorë e publicistikë. Një pjesë e tyre është shfrytëzuar edhe për këtë punim. Por, mbi të gjitha, kemi fituar njëfarë përvoje, të cilën e kemi ndarë, kryesisht, me organizatat e shoqërisë civile, sikurse me institucione të ndryshme shqiptare e ndërkombëtare. Tani mendojmë t’a ndajmë këtë përvojë edhe me publikun e gjerë.

Ne falënderojmë të gjithë ata që sponsorizuan projektet tona. Falënderojmë, gjithashtu, partnetët dhe bashkëpunëtorët tanë, pa ndihmën e të cilëve realizimi i tyre do të ishte i pamundur. Falënderojmë, më tej, të gjithë ata individë me të ciltë kemi punuar në kuadrin e projekteve mbi trafikimin, në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në vendet e rajonit të Ballkanit e më gjerë.

 

 

 

trafikimi_rasti%20i%20shqiperise.pdf
  E-Mail | Print

(C) Copyright The Center for Economic and Social Studies 2008. All rights reserved